41

Dhimbja ovulatore ose dhimbja në mes të ciklit ( Mittelschmerz)

Kam një dhimbje në pjesën e poshtme të bakrkut cdo muaj rreth ditëve kur mendoj që jam duke ovuluar. Duhet të shqetësohem?

Mittelschmerz është dhimbje e njëanshme, e poshtme e barkut e lidhur me ovulimin. Mittelschmerz ndodh në mes të një cikli menstrual – rreth 14 ditë para menstruacioneve tuaj të ardhshme.

Në shumicën e rasteve, mittelschmerz nuk kërkon kujdes mjekësor. Për dhimbje  të lehta, qetësuesit  pa recetë dhe masa lehtësuese në kushte shtëpie janë shpesh efektive. Nëse dhimbja juaj mittelschmerz është shqetësuese, mjeku juaj mund të përshkruajë një  kontraceptiv oral për të ndaluar ovulimin dhe për të parandaluar dhimbjen në mes të ciklit.

Simptomat

Dhimbja Mittelschmerz zakonisht zgjat disa minuta deri në disa orë, por mund të vazhdojë për një ose dy ditë. Dhimbja nga mittelschmerz mund të jetë:

 

  • Në njërën anë të barkut tuaj të poshtëm
  • E gjashme me dhimbjet menstruale
  • E mprehtë dhe e papritur
  • Shoqërohet me gjakderdhje ose shkarkim të lehtë vaginal
  • Rrallë, e rëndë

 

Dhimbja Mittelschmerz ndodh në anën e vezores që lëshon një vezë (ovuluese). Dhimbja mund të ndryshojë anën çdo muaj, ose mund të ndjeni dhimbje në të njëjtën anë për disa muaj.

Mbani  shënim me kujdes  ciklin tuaj menstrual për disa muaj dhe vini re kur ndjeni dhimbje në barkun e poshtëm. Nëse ndodh në mes të ciklit dhe largohet pa trajtim, ka shumë të ngjarë që të jetë mittelschmerz.

 

Kur duhet të shkoj te mjeku?

Mittelschmerz rrallë kërkon ndërhyrje mjekësore. Sidoqoftë, kontaktoni mjekun tuaj nëse një dhimbje e re pelvike bëhet e rëndë, nëse shoqërohet me nauze ose ethe, ose nëse vazhdon – secila prej të cilave mund të tregojë se keni një gjendje më serioze se mittelschmerz, siç është apendisitis, sëmundja inflamatore pelvike apo edhe shtatzëni ektopike ( barrë jashtë mitre).

 

Shkaqet

Mittelschmerz ndodh gjatë ovulacionit, kur folikuli shpërthen dhe lëshon vezën e tij. Disa gra kanë mittelschmerz çdo muaj; të tjerat e kanë atë vetëm herë pas here.

 

Shkaku i saktë i mittelschmerz është i panjohur, por arsyet e mundshme të dhimbjes përfshijnë këto:

  • Pak para se një vezë të lëshohet me ovulim, rritja e folikulit shtrin sipërfaqen e vezores tuaj, duke shkaktuar dhimbje.
  • Gjaku ose lëngu i lëshuar nga folikuli i çarë irriton mbembranën seroze të barkut tuaj (peritoneum), duke çuar në dhimbje.

 

Dhimbja në çdo pikë tjetër të ciklit tuaj menstrual nuk është mittelschmerz. Mund të jetë dhimbje menstrual normale (dismenorrea) nëse ndodh gjatë periodave tuaja, ose mund të jetë nga probleme të tjera të barkut ose pelvisit. Nëse keni dhimbje të forta, kontaktoni mjekun tuaj.

 

Diagnoza

Për të diagnostikuar mittelschmerz, mjeku juaj do të fillojë duke ju bërë pyetje për të marrë një ide të qartë të historisë tuaj mjekësore, veçanërisht në lidhje me ciklin tuaj menstrual. Mjeku juaj gjithashtu mund të kryejë një ekzaminim fizik, duke përfshirë një vizitë pelvike, për të kontrolluar për  shenjat e një gjendje tjetër të fshehur  që mund të kontribuojë në dhimbje.

 

Trajtimi

Trajtimet e mundshme për mittelschmerz përfshijnë:

  • Qetësuesit e dhimbjes. Për lehtësimin e shqetësimit nga mittelschmerz, provoni një ilaç pa recetë si acetaminophen (Tylenol, të tjerë), aspirinë, ibuprofen (Advil, Motrin IB, të tjerë) ose naproxen sodium (Aleve).
  • Pilula kontraceptive (kontraceptivë oralë). Nëse mittelschmerz ju shkakton shumë shqetësime ose shfaqet çdo muaj, pyesni mjekun tuaj për marrjen e pilulave kontraceptive. Disa lloje të pilulave kontraceptive ndalojnë ovulimin, i cili mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjeve të ovulacionit gjatë marrjes së tyre.

 

Mënyra e jetesës dhe trajtimi në kushte shtëpie

Për të lehtësuar dhimbjen ovulatore që zgjat më shumë se disa minuta, provoni disa trajtime në kushte shtëpiake. Duke qënë se nxehtësia rrit rrjedhjen e gjakut, relakson muskujt e tensionuar dhe lehtëson ngërçet, ju mund:

 

  • Bëni një një banjë të nxehtë ose të qëndroni në vaskë me ujë të nxehtë
  • Përdorni kompresa të ngrohta aty ku është dhimbja

 

 

Dr. Ardi  Prushi

Përpunoi: Ina Çala

Leave Your Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *