Janë të shijshme por duhen ndërprerë…

Ushqimet që duhen shmangur gjatë shtatëzënisë

Ngrënia e vakteve të mirë balancuara është e rëndësishme gjatë gjithë kohës, por sidomos gjatë shtatëzënisë. Janë disa nutrientë esencialë, vitamina dhe minerale për të cilat bebi në zhvillim ka nevojë. Shumica e ushqimeve janë të sigurta, gjithsesi ka disa ushqime specifike që duhen shmangur.

Krudo
Prodhimet e detit apo mishi i kuq/pula të pagatuara duhen shmangur gjatë shtatëzënisë për shkak të riskut të infektimit me baktere koliforme, toksoplasmosis dhe salmonela. Këto ushqime duhen gatuar në temperatura më të larta se 63°C.

Sallami
Këto produkte të mishit janë të kontaminuara me listeria, që mund të bëhet shkak për një abort. Listeria mund të kalojë placentën dhe të infektojë bebin, gjë që do të çonte në infeksion ose helmim të gjakut, të dyja situata jetë-kërcënuese. Nëse dëshironi t’i konsumoni gjatë shtatëzënisë sigurohuni që t’i gatuani deri në vlim.

Peshqit me përmbajtje të lartë të mërkurit
Peshqit që përmbajnë nivele të larta të mërkurit duhen shmangur. Mërkuri i konsumuar gjatë shtatëzënisë është lidhur me vonesa të zhvillimit dhe dëmtime të trurit. Llojet e peshkut që duhen shmangur janë: peshkaqeni, peshku shpatë, skumbri, peshku guri. Peshku ton i konservuar përgjithësisht ka sasi më të ulët të mërkurit sesa llojet e tjera të peshkut ton, por gjithsesi duhet konsumuar në mënyrë të moderuar. Gjithashtu duhen shmangur edhe sushit që mund të përmbajnë këto lloje peshqish me përmbajtje të lartë të mërkurit.

Ushqimet e detit të tymosura dhe të ngrira
Duhen shmangur pasi mund të jenë të kontaminuara me listeria. E vetmja mënyrë për t’i konsumuar është nëse gatuhen. Ushqimet e detit të tymosura që janë të konservuara dhe jo të ngrira mund të konsumohen.

Peshku i ekspozuar ndaj ndotësve industrialë
Peshqit nga liqenet apo lumenjtë e kontaminuar duhen shmangur pasi mund të jenë ekspozuar ndaj niveleve të larta të bifenileve të polikloruara. Është e këshillueshme që të shmanget konsumi i peshqeve nga liqenet apo lumenjtë e zonës pa patur një informacion të konfirmuar nga institucionet përkatëse lidhur me sasinë e ndotjes.

Midhjet
Shumica e sëmundjeve të lidhura me prodhimet e detit vijnë nga konsumi i midhjeve të gatuara më pak seç duhet. Gjithsesi gatimi i tyre, shmang disa infeksione por jo infeksionet e lidhura me algat, prandaj konsumi i tyre gjatë shtatëzanisë duhet shmangur tërësisht.

Vezët e pagatuara
Vezët e pagatuara duhen shmangur për shkak të riskut potencial të ekspozimit ndaj salmonelës. Nuk duhen anashkaluar as ushqimet që mund të përmbajnë vezë të pagatuara si salcat dhe akulloret që përgatiten në shtëpi apo majoneza. Produktet ushqimore të prodhuara industrialisht përmbajnë vezë të pasterizuara dhe si rrjedhojë nuk e rrisin rrezikun për salmonelë.

Djathrat e buta
Djathrat e buta të importuara mund të përmbajnë listeria. Këshillohet shmangia e produkteve si djathi Brie, Camembert, Feta, Gorgonzola, Roquefort apo djathrave meksikanë si Queso Blanco dhe Queso Fresco, nëse në paketimin e tyre nuk citohet që janë përgatitur me qumësht të pasterizuar. Të gjithë djathrat e butë jo të importuar të prodhuar me qumësht të pasterizuar janë të sigurt për t’u konsumuar.

Qumështi jo i pasterizuar
Sigurohuni që të konsumoni vetëm qumësht të pasterizuar.

Lëngjet e freskëta
Gratë shtatëzanë këshillohet të konsumojnë lëngje të pasterizuara. Lëngjet e freskëta në restorante apo stenda të ndryshme mund të mos jenë të pasterizuara dhe mund të përmbajnë bakterie si salmonela apo E. Coli. Lëngjet në kuti apo në shishe që tregtohen në supermarketa janë të sigurta për t’u konsumuar.

Kafeina
Studimet lidhur me konsumin e kafeinës janë të ndryshme. Meqënëse disa prej tyre tregojnë që kafeina mund të jetë e lidhur me abortet, këshillohet shmangia e saj gjatë trimestrit të parë. Si rregull i përgjithshëm konsumi i kafeinës duhet të limitohet në më pak se 200 mg në ditë gjatë shtatëzënisë. Kur flasim për kafeinën, nuk kemi në mendje vetëm kafen por edhe pijet e gazuara, çokollatat apo pijet energjike që e përmbajnë. Kafeina është një diuretik dhe si e tillë ndihmon në eleminimin e lëngjeve nga trupi. Kjo mund të çojë në humbje të ujit dhe kalciumit. Është i rëndësishëm konsumi i sasive të mëdha të ujit, lëngjeve apo qumështit në vend të pijeve që përmbajnë kafeinë. Gjëja më e sigurt është eleminimi i kafeinës gjatë shtatëzënisë.

Alkooli
Nuk ka asnjë sasi alkoli që mund të konsiderohet si e sigurtë gjatë shtatëzënisë. Ekspozimi i bebes ndaj alkolit ndikon në zhvillimin e tij. Në varësi të sasisë, kohës dhe shpeshtësisë së konsumit të alkolit, mund të kemi zhvillimin e çrregullimeve të ndryshme të zhvillimit. Nëse keni konsumuar alkol përpara se të informoheshit mbi shtatëzëninë tuaj, tani duhet të hiqni dorë plotësisht. Gjithashtu, alkoli nuk duhet konsumuar as gjatë gjidhënies. Ekspozimi i infantit ndaj alkolit shoqërohet me mjaft risqe.

Perimet jo të lara
Perimet janë të sigurta dhe janë pjesë e një diete të mirë balancuar. Gjithsesi duhet të siguroheni që janë larë, për të shmangur rrezikun e ekspozimit ndaj toksoplasmozës.

Lakrat e pagatuara
Nuk këshillohet konsumi i asnjë lakre të pagatuar, pasi bakteriet mund të vendosen në fara përpara se lakrat të fillojnë të rriten dhe nuk ka asnjë mënyrë se si mund të pastrohen. Kur ushqeheni në restorante, shmangni çdo ushqim që përmban lakër të pagatuar, ndërsa në shtëpi ziejini për të shkatërruar çdo bakter.

 

Dr. Ardi Prushi

Përshtati: Frisiana Mirashi

 

1 Comment
  • Albana
    Posted at 13:01h, 29 Qershor Përgjigjiuni

    Ne shtatezanine time: Krudot🤮,peshqit🤮,lakrat🤮🤮,perimet😏,kafe😊alkoli🚫vezet😏.,vetem buke te thekur thate pa asgje der ne muajin e 8😏😏 e kur shkoja ne pune ne oren 8 deri ne 1 pa ushqim se kisha frike se kisha frike se para nxennesve🤮🤮🤣🤣…dhe si perfundim bera nje vajze te bukur😇🥰👸

Post A Comment