Trajtimi për kancerin e gjirit mund të arrijë të çrrënjosë kancerin ose jo. Edhe në rastin kur terapia ka qenë e suksesshme dhe është ndërprerë, rekomandohet që pacientja t’i nënshtrohet disa kontrollove rutinë në vazhdimësi. Plani i ndjekjes varet nga disa faktorë ku përmendim llojin e kancerit të gjirit, sa i avancuar ka qenë kur është diagnostikuar dhe nga lloji i terapisë së ndjekur.
Kontrollet më të zakonta janë si më poshtë:
- Vizitat te mjeku. Si fillim mund të jenë të nevojshme një here në disa muaj, por sa më shumë kohë kalon nga çrrënjosja e kancerit, aq më të rralla bëhen vizitat. Në këto vizita mjeku vlerëson gjendjen e përgjithshme dhe simptomat e ndryshme nëse janë të pranishme.
- Në rastet kur pacientja ka bërë kirurgji, por gjinjtë nuk janë hequr, bëhet mamografi 6-12 muaj pas kirurgjisë dhe radioterapisë. Më pas të paktën një herë në vit. Në rastin kur pacientja ka hequr gjirin e sëmurë, por ka akoma tjetrin, atëherë ajo duhet të bëjë mamografi rutinë në gjirin e mbetur.
- Ekzaminime pelvike. Nëse pacientja ka marrë tamoxifen ose toremifene dhe ka mitër, duhet të bëjë kontrolle pelvike çdo vit, sepse ka një risk të rritur për të zhvilluar kancer mitre. Risku është më i lartë në gratë në menopauzë. Nëse vihet re hemorragji vaginale e pazakontë, duhet kontaktuar menjëherë me mjekun, sepse kjo mund të jetë shenja e parë e kancerit të mitrës.
- Matja e densitetit kockor. Nëse pacientja trajtohet me frenuesit e aromatazës (anastrozole, letrozole, exemestane) për një kancer gjiri në stad të hershëm ose nëse pacientja kalon në menopauzë për shkak të këtij trajtimi, rekomandohet monitorimi i shëndetit kockor dhe matja e densitetit kockor. Kjo për arsye të riskut të zhvillimit të osteoporozës.
- Teste të tjera. Teste si analiza gjaku apo ekzaminime të ndryshme imazherike mund të jenë të nevojshme kur pacientja shfaq shenja dhe simptoma treguese se kanceri mund të jetë rikthyer. Në të tilla raste mund të bëhen radiografi, skaner (CT), resonance magnetike (MRI), biopsi etj. Gjithashtu mund të duhet të maten në gjak markues specifikë tumoralë.
Nëse kanceri rikthehet, trajtimi në vazhdim varet nga vendi ku kaceri është shfaqur, trajtimet e mëparshme, gjendja shëndetësore aktuale dhe preferenca personale. Është me rëndësi të dihet se gratë me kancer gjiri janë të predispozuara të zhvillojnë lloje të tjera kanceri.
Dr. Ardi Prushi
Përgatiti: Eleni Koça