Kupat menstrual. In or out?

 

Çfarë janë kupat menstruale?

Kupat menstruale janë produkte të higjenës femërore me disa përdorime.  Janë të vogla, fleksibël, të përbëra nga plastika ose silikoni dhe vendosen në vaginën tuaj për të grumbulluar gjakun menstrual.

Këto kupa mbajnë një sasi gjaku më të madhe se metodat e tjera dhe konsiderohen si një alternativë ambjentaliste ndaj tamponëve.  Në varësi të sasisë së gjakut menstrual ato mund të përdoren deri në 6 orë.

 

Si ta përdorim një kupë menstruale?

Nëse jeni të interesuara për përdorimin e një kupe menstruale fillimisht konsultohuni me gjinekologun tuaj.  Fillimisht ju duhet të mësoni  cila madhësi është e përshtatshme për ju. Shumica e brendeve të kupave menstruale tregëtojnë  versionet e vogla dhe të mëdha.

 

Për të vendosur për përmasat e përshtatshme, ju dhe doktori juaj duhet të konsideroni:

 

  • moshën
  • gjatësinë e qafës së mitrës
  • sasinë e gjakrrjedhjes gjatë menstruacioneve
  • fleksibilitetin dhe fortësinë e kupës
  • kapacitetin e kupës
  • fortësinë e muskujve të dyshemesë pelvike
  • lindjet vaginale

 

Kupat e vogla menstruale përgjithësisht rekomandohen për gratë më pak se 30 vjeç që nuk kanë kryer lindje vaginale.  Kupat e mëdha rekomandohen për gratë mbi 30 vjeç që kanë kryer lindje vaginale ose që kanë gjakrrjedhje të shumtë.

 

Përpara vendosjes së kupës menstruale:

Vendosja e një kupe menstruale për herë të parë mund t’ju krijojë një ndjesi diskomforti.  Për ta reduktuar këtë ndjesi mund të përdorni lubrifikim në hyrjen e kupës menstruale me ujë ose me një lubrifikant me bazë ujore.

 

Si ta vendosni kupën menstruale:

Nëse më herët keni përdorur tampona, vendosja e një kupe menstruale do ju duket relativisht e lehtë.  Mjafton të ndiqni këto hapa:

  • përpara vendosjes së kupës lani duart mirë dhe me kujdes
  • aplikoni ujë ose lubrifikant me bazë ujore në hyrje të kupës menstruale
  • paloseni kupën menstruale duke e mbajtur hyrjen e saj për lart
  • vendosni kupën në vaginën tuaj, siç do të vendosnit një tampon.
  • në momentin që kupa është në vaginë, rrotullojeni. Ajo do të hapet dhe do përputhet me muret e vaginës duke stopuar edhe rrjedhjet në këtë mënyrë.

 

Nëse e keni vendosur në mënyrën e duhur, ju nuk do e ndjeni kupën menstruale.  Gjithashtu duhet të jeni në gjendje të lëvizni, kërceni, të rrini ulur ose në këmbë pa ju shqetësuar apo pa lëvizur.

 

Kur ta hiqni kupën menstruale:

  • përsëri lani duart përpara heqjes së kupës
  • tërhiqni fundin e kupës me delikatesë
  • ushtroni pak presion në fund të kupës për ta liruar dhe për ta patur të lehtë heqjen e saj.
  • në momentin që e nxirrni kupën, zbrazeni në tualet.

 

Si të kujdeseni për kupën menstruale mbas heqjes së saj:

Kupat menstruale duhet të lahen mirë dhe të pastrohen përpara rivendosjes. Me një kujdes të mirë ato mund të zgjasin minimalisht 6 muaj.

 

Avantazhet e përdorimit të kupave menstruale:

  • ka kosto të ulët
  • është më e sigurt se tamponët pasi gjaku grumbullohet në vend që të absorbohet duke e ulur riskun për sindromën e shokut toksik- një infeksion i rrallë bakterial i lidhur me përdorimin e tamponëve
  • mban një sasi më të madhe gjaku se tamponët
  • është alternativë më e mirë për ambjentin
  • disa kupa menstruale të buta nuk krijojnë probleme gjatë  marrëdhënieve seksuale, duke mos ju shkaktuar diskomfort as ju, as partnerit tuaj
  • mund të përdoren edhe nëse keni të vendosur një IUD ( intra-uterine device)

 

Disavantazhet

  • heqja e kupës mund të shkaktojë pak rrëmujë
  • mund të jetë disi e vështirë për tu vendosur apo për tu hequr
  • mund të jetë pak e vështirë për të gjetur përmasën e duhur
  • mund të jeni alergjikë ndaj materialit- shumica e tyre janë të përbëra nga materiale që nuk përmbajnë latex, duke e bërë një opsion shumë të mirë për personat me alergji ndaj latexit. Por ekziston mundësia që të ketë persona alergjikë ndaj plastikës apo silikonit.
  • mund të shkaktojë irritim vaginal- kjo mund të ndodhë nëse kupa menstruale nuk pastrohet apo mirëmbahet në mënyrën e duhur. Gjithashtu mund të keni edhe diskomfort nëse e vendosni kupën pa lubrifikim.
  • mund të rrisë shancet për infeksione- kjo mund të shmanget nëse e lani mirë kupën menstruale. Sigurohuni ta thani përpara vendosjes.

 

Kosto:

Shumica e kupave menstruale janë më ekonomike se tamponët apo pads-at. Përgjithësisht çmimet variojnë nga 20$ deri në 40$ duke e bërë më kosto efektive se produktet e tjera të higjenës femërore që duhen riblerë çdo muaj.

Gjithsesi ne sugjerojmë që përpara se të vendosni të përdorni kupën menstruale, të konsultoheni me gjinekologun tuaj për të vendosur nëse është ose zgjedhja e duhur për ju.

 

Dr. Ardi Prushi

Përgatiti: Frisiana Mirashi

 

No Comments

Post A Comment