25

Amenorrhea e laktacionit – Kam bebin në gji por s’kam cikël…

 

A është gjidhënia një formë kontracepsioni?

Gjidhënia nuk është vetëm një mënyrë e shëndetshme për të ushqyer bebin tuaj. Ajo mund të shërbejë edhe si një formë kontracepsioni.

 

Si parandalon gjidhënia shtatëzëninë?

Kur ushqimi i vetëm që merr bebi juaj është qumështi i gjirit, pra minimalisht ju i jepni bebit të pijë çdo katër orë gjatë ditës dhe çdo gjashtë orë gjatë natës trupi juaj ndalon së ovuluari.

Në mungesë të ovulacionit, ju nuk mund të ngelni shtatëzënë.  Gjithashtu gjatë kësaj periudhe ju nuk do të keni menstruacione.

Për këtë arsye gjidhënia si metodë kontraceptive quhet ndryshe dhe amenorrhea e laktacionit.

Laktacioni i referohet gjidhënies, ndërsa amenorrhea është mungesa e menstruacioneve.

 

Sa efektive është gjidhënia si metodë kontraceptive?

Nëse bëhet në mënyrën e duhur, gjidhënia mund të jetë po aq efektive sa kontracepsioni oral.

Gjidhënia nuk e parandalon shtatëzëninë nëse bebi nuk ushqehet vetëm me qumësht gjiri.  Pra, nëse ju i jepni bebit qumësht gjiri, por gjithashtu përdorni formulën, ju nuk mund ta përdorni gjidhënien si një metodë kontraceptive. E njëjta logjikë funksionon edhe nëse ju përdorni pompat e gjirit për të marrë qumështin.

 

Është e rëndësishme të mbani mend që gjidhënia mund të përdoret si metodë kontracepsioni vetëm gjashtë muajt e parë pas lindjes ose deri në rikthimin e menstruacioneve.

Pas kësaj periudhe, gjidhënia është më pak efektive si metodë kontracepsioni, sidomos kur bebi fillon të hajë ushqime solide apo të flejë më tepër gjatë natës.

 

Si mund ta përdor gjidhënien si një mënyrë kontracepsioni? 

Ju mund ta përdorni gjidhënien si kontracepsion që në momentin që bebi juaj lind.  Mund t’ju duhet pak kohë për tu mësuar me gjidhënien. Mund të keni nevojë edhe për ndihmë sidomos nëse është fëmija i parë. Shumica e spitaleve kanë personel që mund t’iu ndihmojë.

 

Përfitimet e ushqyerjes me gji

Siç u përmend edhe më lart, shërben si kontracepsion natyral. Është një metodë e thjeshtë, e sigurt që shmang një shtatëzëni të dytë për të paktën gjashtë muaj. Është mjaft fitimprurëse sidomos nëse nuk dëshironi të përdorni të tjera metoda kontracepsioni.

 

– Ndryshe nga qumështi i formulës i cili ka kosto, qumështi i gjirit është i sigurt dhe pa asnjë kosto.

– Nuk indikon ndërprerjen e marrëdhënieve seksuale.

– Redukton gjakrrjedhjen pas lindjes së bebit.

– Mund të ulë shancet për tu prekur nga kanceri i gjirit në të ardhmen.

 

Përfitimet e bebit nga qumështi i gjirit

–  Qumështi i gjirit është ushqimi më i mirë për bebin tuaj.

–  Ka antitrupa të shumtë që e mbrojnë bebin nga infeksionet.

– Ushqimi me qumështin e gjirit ul riskun për astma dhe alergji.

– Gjidhënia krijon një lidhje të veçantë mes jush dhe bebes tuaj duke rritur edhe kontaktin fizik. Në shumë raste kjo mund të ndihmojë edhe në qetësimin e një bebeje të shqetësuar që qan.

– Gjidhënia ul shancet që bebi juaj të ketë kontakt me bakteret në ujë, formulë apo lëngje të tjera.

 

Përpos gjithë përfitimeve si për prindërit ashtu edhe për bebin, ndonjëherë mund të jetë e vështirë që qumështi i gjirit të jetë ushqimi i vetëm i përdorur.

– Përdorimi i qumështit të gjirit si i vetmi ushqim bëhet disi e lodhshme, pasi konsumon shumë kohë dhe energji.  Të jesh e disponueshme çdo katër orë për ti dhënë bebit të pijë mund të jetë e vështirë.

– Nevojitet gjithashtu një marrëdhënie e fortë “gjidhënieje” mes jush dhe bebit. Kjo do të thotë që bebi duhet të ketë instikt të mirë të thithjes së gjirit, për të përdorur gjidhënien si mënyrë kontracepsioni. Disa studime kanë treguar se gjiri i dobët mund ta bëjë këtë metodë më pak efektive. Përdorimi i pompës së gjirit nuk siguron kontracepsion, ju jeni të mbrojtur nga shtatzënia vetëm nëse fëmija juaj është në gji.

 

Është plotësisht në rregull nëse ju nuk mundeni apo zgjidhni ta  ushqeni bebin tuaj në një tjetër mënyrë.

Ekzistojnë plot metoda kontracepsioni që mund ti diskutoni me doktorin tuaj dhe të zgjidhni atë më të përshtatshmen për ju.

 

Ushqyerja me gji mund të ketë disa efekte anësore.

– Ushqyerja me gji mund të ulë lubrifikimin e vaginës, gjë që mund ta bëjë seksin të pakëndshëm.

– Disa njerëz zbulojnë se ushqimi me gji i bën gjinjtë e tyre të ndjehen më pak seksualë.

 

A mund të përdor kontraceptivë hormonalë gjatë ushqyerjes me gji?

– Po, nëse jeni duke ushqyer me gji, mund të përdorni në mënyrë të sigurt metodat hormonale. Ato nuk do t’ju dëmtojnë ju ose bebin tuaj.

 

Ju gjithashtu mund të vendosni një implant apo një DIU në spital apo në momentin e kontrollit post-partum. Të dyja metodat janë shumë efektive dhe të sigurta për parandalimin e shtatëzënisë për disa vite.

 

– Për 3 javët e para pas lindjes, mos përdorni metoda që kanë bazë estrogjenin, si pilulën, patch-in ose unazën. Pas 3 javësh, mund të filloni ndonjë nga këto metoda gjithmonë duke u konsultuar me mjekun tuaj.

 

Cilat metoda jo-hormonale mund të përdor?

Ju mund të përdorni në mënyrë të sigurtë kontraceptivë jo-hormonalë gjatë ushqyerjes me gji. Deri në 6 muajt e parë pas lindjes së fëmijës suaj, ju mund të mbështeteni në ushqyerjen me gji si metodë kontracepsioni, nëse nuk ju kanë filluar ende menstruacionet dhe nuk po ushqeni fëmijën me formulë ose ushqim solid.

– DIU është një nga metodat më efektive të kontrollit të lindjes dhe zgjat deri në 12 vjet (por mund ta hiqni kur të doni). Është një mundësi mjaft e përshtatshme nëse nuk doni të shtoni kontraceptivët në listën e gjërave që duhet të mbani mend.

– Opsione të tjera jo-hormonale të kontracepsionit janë prezervativët, prezervativët femërorë, diafragma dhe kapaku i qafës së mitrës.

– Nëse keni përdorur një diafragmë ose kapak të qafës të mitrës në të kaluarën, prisni derisa të bëni kontrollin e parë pas lindjes për të filluar përsëri përdorimin e kësaj metode. Shumica e mjekëve rekomandojnë që të mos vendosni asgjë në vaginën  tuaj deri në kontrollin e parë. Ju gjithashtu mund të keni nevojë për një madhësi të re.

Një tjetër opsion që mund të konsideroni është bllokimi kirurgjikal i kalueshmërisë së tubave të Fallopit. Kini parasysh që është metodë kontraceptive invazive dhe e parikthyeshme. Prandaj  konsiderohet vetëm nga njerëzit që janë absolutisht të sigurt qënuk duan më fëmijë.

 

Dr.Ardi Prushi

Përshtati : Frisiana Mirashi