Vizita prekoncepsionale – Vërtet ul risqet për bebin tim?

Shëndeti prekoncepsional i referohet shëndetit të femrave dhe meshkujve përgjatë viteve të riprodhimit, vitet në të cilat këta të fundit mund të ngjizin një fëmije. Fokusi qëndron në hapat që duhen marrë paraprakisht për të garantuar shëndetin e fëmijës në të ardhmen.

Megjithatë, shëndeti prekoncepsional sjell benefite të përgjithshme, pavarësisht planeve për fëmijë në të ardhmen. Kjo vjen për shkak se shëndeti prekoncepsional ka për qëllim shëndetin e përgjithshëm optimal të individëve përgjatë gjithë jetës. Gjithashtu, askush nuk i gëzohet një shtatzënie të paplanifikuar! Por ndodh shpesh. Në fakt, sipas statistikave, rreth gjysma e shtatzënive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të paplanifikuara.

Kujdesi mjekësor prekoncepsional
Kujdesi mjekësor prekoncepsional fokusohet në rritjen e mundësive për një shtatzëni dhe është i ndryshëm, bazuar në nevojat unike të cdo pacienti.


Gra të shëndetshme
Shëndeti prekoncepsional është i rëndësishëm për cdo grua, jo vetëm për ato që planifikojnë të bëhen nëna. Shëndet prekoncepsional do të thotë të jesh nën kontroll dhe të krijosh zakone të shendetshme, do të thotë të jetosh mirë, të jesh e shëndetshme fizikisht dhe mendërisht dhe të ndihesh mirë për jetën tënde. Shëndet prekoncepsional do të thotë të kesh një plan për të ardhmen dhe të hedhësh hapat e duhur për të arritur atë.

Burra të shëndetshëm
Shëndeti prekoncepsional është po aq i rëndësishëm për meshkujt gjithashtu. Si partner, do të thotë të inkurajosh dhe mbështetësh shëndetin e partneres. Si baba, do të thotë të mbrosh fëmijët e tu. Shëndeti prekoncepsional të ofron ty dhe të afërmve të tu një të ardhme më të mirë.

 Foshnje të shëndetshme
Shëndeti prekoncepsional është një dhuratë për bebet! Nënkupton që prindërit ndoqën hapat e duhur për të qenë plotësisht të shëndoshë para se të tentonin për nje bebe. Foshnja të tilla kanë më pak mundësi të lindin premature ose të zotërojnë peshë të vogël trupore. Gjithashtu, probabiliteti është më i ulët që këto foshnja të vijnë me defekte në lindje. Shëndeti prekoncepsional ju jep bebeve dhuratën më të mirë: mundësinë për të nisur jetën të shëndetshëm!

Familje të shëndetshme
Kujdesi për shëndetin prekoncepsional është një mënyrë e mirë për të krijuar një familje të shëndetshme.

Planifikimet për shtatzëni
Nëse keni filluar të mendoni për të patur një fëmijë, nuk është aspak herët të përgatiteni për shtatzëni duke u siguruar se gëzoni shëndet të plotë. Për disa nëna, përgatitja për një shtatzëni mund të zgjasë vetëm pak muaj, për të tjera më gjatë. Hapat e përshkruara në vijim janë të rëndësishme për këdo që tenton të mbesë shtatzënë, qoftë me fëmijën e parë, të dytë, apo të gjashtë.

1. Bëj një plan dhe zbatoje.

Me shumë mundësi e keni menduar se sa fëmijë dëshironi dhe kur i dëshironi ata. Hidhini hapat në bazë të planeve tuaja për të ardhmen.

2. Vizito mjekun tënd.

Para se të tentoni për të mbetur shtatzënë, duhet të konsultoheni me mjekun tuaj për shëndetin prekoncepsional. Mjeku do të interesohet për historikun tuaj shëndetësor dhe cdo gjendje shëndetësore që mund të ketë ndikim në shtatzëninë tuaj, probleme me shtatzëni të mëparshme, mjekime me të cilat mund të jeni duke u trajtuar, vaksinime të mundshme dhe hapat që duhet të kryeni për të parandaluar defektet në lindje. Nëse mjeku juaj nuk jua ka përmendur kujdesin për shëndetin prekoncepsional, duhet te siguroheni t’i drejtoni pyetje për të.

Sigurohuni të diskutoni me mjekun tuaj:

Gjendjen tuaj shëndetësore

Këtu përfshihen: sëmundjet seksualisht të transmetueshme, diabeti, tensioni i lartë dhe sëmundje të tjera kronike.

Stilin e jetës dhe zakonet e përditshmërisë
Diskutoni për zakone si: duhanpirja, përdorimi i alkoolit ose i drogërave ose për stresin në jetën e përditshme nëse jetoni në një mjedis abuziv. Profesionistët shëndetësorë mund t’ju adresojnë në vendet e duhura për të kërkuar shërbime këshillimi dhe trajtimi.

 Mjekime të mundshme
Marrja e disa mjekimeve të caktuara përgjatë shtatzënise mund të shkaktojë probleme serioze në lindje. Këtu përfshihen disa ilace me recetë ose jo, si edhe suplemente dietare ose herbalë. Nëse planifikoni një shtatzëni, duhet të diskutoni nevojën tuaj për këto mjekime me mjekun para se të mbeteni shtatzënë dhe të siguroheni se po merrni vetëm mjekimet që vërtetë ju nevojiten. Përdorimi i opioideve gjatë shtatzënisë me ose pa recetë, për arsye shëndetësore ose rekreacionale, duhet përmendur patjetër në konsultë.

Vaksinime

Ka vaksina që këshillohen dhe administrohen para shtatzënisë, përgjatë ose pas. Vaksinimi në kohën e duhur parandalon sëmundje të ndryshme tek ju dhe fëmija juaj.

3. Rekomandohet marrja e 400 mikrogramë acid folik cdo ditë.

Acidi folik është vitaminë B kritike për shëndetin e foshnjës. Nëse nëna ka nivele të mjaftueshme të acidit folik të paktën një muaj para shtatzënisë dhe përgjatë saj, mundësia për lindje me defekte në tru dhe shtyllën kurrizore zvogëlohet.

4. Ndalo duhanpirjen, pirjen e alkoolit dhe përdorimin e drogërave.

Përdorimi i drogës, alkoolit dhe pirja e duhanit sjell probleme madhore si lindje premature, defekte në lindje dhe vdekje të foshnjes

5. Shmang substancat toksike dhe kontaminantët mjedisorë.

Këtu përfshihen substancat kimike sintetike, metalet, fertilizuesit, spërkatësit e insekteve, etj. Këto substanca mund të sjellin dëme në shëndetin riprodhues të femrave dhe meshkujve dhe mund të vështirësojnë ngjizjen. Ekspozimi ndaj tyre, edhe në sasi të vogla, gjatë shtatzënisë, foshnjërisë, fëmijërisë ose pubertetit mund të rezultojë në sëmundje.

6. Ruaj një peshë të shëndetshme

Të qenit mbi peshë ose obez sjell risk më të lartë për komplikacione shëndetësore, edhe gjatë shtatzënisë. Midis tyre mund të përmendim sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2, lloje të kancerit si ai i gjirit dhe endometrial. Të qenit nënpeshë gjithashtu shoqërohet me risqe të caktuara. Çelësi i të arriturit dhe ruajturit të një peshe të shëndetshme nuk qëndron në ndryshimet dietike temporare, por në krijimin dhe përshtatjen e një stili jetese të shëndetshëm. Nëse jeni mbi ose nënpeshë, konsultohuni me mjekun tuaj para se të mbetni shtatzënë.

7. Informohu mbi historikun tënd familjar.

Njohuritë në lidhje me sëmundje ose gjendjë shëndetësore të cilat kanë shoqëruar familjen tuaj janë të rëndësishme dhe duhen ndarë me mjekun. Në rastet e aborteve spontane të shpeshta, vdekjeve foshnjore dhe infertilitetit, konsultat gjenetike janë të këshilluara.

8. Ji mendërisht e shëndetshme.

Çfarë ne mendojmë, qasjet ndaj problemeve, çfarë ndiejmë dhe si e shohim veten përbën mirëqenien mendore. Çdokush përjeton situata të pakëndshme që shoqërohen me ndjesi negative si stres, mërzi, ankth. Sidoqoftë, nëse vlerësoni se ndjesi të tilla janë duke interferuar me jetën tuaj të përditshme, mos hezitoni të kërkoni ndihmë profesionale dhe opsione trajtimi.

 

Përshtati: Ajna Gjyla

Dr. Ardi Prushi

No Comments

Post A Comment